Bordi Drejtues i FEMSH vijon përgatitjet për Forumin Ekonomik për Zhvillim dhe Integrim 2026

Më 12 korrik 2026, në Rugovë të Pejës, u zhvillua mbledhja e Bordit Drejtues të Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar (FEMSH), e drejtuar nga Kryetari i Forumit, z. Besim Beqaj, me pjesëmarrjen e anëtarëve të Bordit..

Në qendër të diskutimeve ishte vijimi i përgatitjeve për organizimin e Forumit Ekonomik për Zhvillim dhe Integrim, i planifikuar të zhvillohet më 23 tetor 2026 në Tiranë, si një platformë e rëndësishme dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet aktorëve ekonomikë, institucionalë dhe akademikë nga të gjitha trevat shqiptare.

Anëtarët e Bordit diskutuan mbi avancimin e punës lidhur me konceptin dhe programin e aktivitetit, identifikimin e panelistëve dhe pjesëmarrësve, si dhe aspektet organizative dhe logjistike të nevojshme për realizimin me sukses të forumit. Gjithashtu, u përcaktuan hapat e mëtejshëm dhe detyrat prioritare për periudhën në vijim, me synim sigurimin e një aktiviteti me ndikim të gjerë në forcimin e bashkëpunimit ekonomik mbarëshqiptar dhe promovimin e integrimit rajonal.

Gjatë mbledhjes u diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit ekonomike në rajon dhe rëndësia e koordinimit të përbashkët për adresimin e sfidave dhe shfrytëzimin e mundësive të reja për komunitetin e biznesit shqiptar.

Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar mbetet i angazhuar për të kontribuar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ekonomik dhe institucional, duke promovuar iniciativa që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin ekonomik të hapësirës mbarëshqiptare.